STAR2-Projekti që do të mbështesë dixhitalizimin e arkivave vendore

Një nga komponentët e projektit STAR 2 -Mbështetje për Reformën Administrative Territoriale, që financohet me rreth 8 milionë dollarësh nga Bashkimi Europian, qeveria e Shqipërisë, Suedisë, Italisë  e Zvicrës, si dhe nga PNUD dhe USAID, është krijimi i një sistemi mbarëkombëtar për dixhitalizimin e arkivave të qeverisjes vendore.

Menaxherja kombëtare e projektit STAR 2, Edlira Muhedini është shprehur se , ky produkt mbështetet te rezultatet e arritura nga pilotimi gjatë zbatimit të projektit STAR1, (që mbështeti zbatimin e reformës territoriale).

STAR 2 , tha ajo, do të vlerësojë gjendjen e arkivave vendore dhe nevojat për të trajtuar çdo situatë si dhe për të ngritur një sistem të ri të menaxhimit të dokumenteve për bashkitë e ngritura rishtazi.

“Ndarja e re administrative dhe territoriale e Shqipërisë ka reduktuar në 61 numrin e njësive të qeverisjes vendore, duke e kthyer administrimin e territorit në një detyrë më sfiduese, tashmë në një njësi më të madhe zonash urbane, periferike dhe rurale”, tha Muhedini.

Brenda dy viteve do të realizohet dixhitalizimi i arkivave të bashkive, një proces që do të kushtojë rreth 1 milione euro por që do të vendos standarde të reja në funksionimin e bashkive dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Ekspertja shpjegoi se, ky eshtë një proçes shumë voluminoz pune, i cili fillon me inventarizimin e gjithë dokumentacionit që kanë bashkitë;  pasi bashkohen edhe arkivat e ish komunave. Do të bëhet indeksimi, skanimi, dixhitalizimi në një sistem të tërë, dhe më pas të funksionojë protokolli i çdo bashkie në mënyrë dixhitale. Do të thotë që çdo shkresë që do prodhohet, do skanohet dhe do jetë dixhitale, pra komunikimi administrativ do jetë dixhital. Shpresojmë që për një kohë të shkurtër 2 vjet ne të jemi në përfundim të këtij procesi, një punë kolosale e cila kërkon impenjim total, pasi situata aktuale është kaotike sidomos në ish komuna.