Shtyhet afati për ngritjen e komisioneve të vetingut.

shtyhet vetinguKuvendi ka shtyrë të hënën në mbrëmje,  votimin e projektvendimeve për ngritjen e komisioneve për vettingun pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi duke votuar me 81 vota pro një projektvendim që parashikon shtyrjen me 1 javë të afatit të aplikimeve për komisionin ad hoc.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se me kërkesë të grupit parlamentar të PS, është propozuar që të ndryshohet rendi i ditës dhe t’i rikthehet Avokatit të Popullit lista me 21 emra për komisionet e vetingut.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi shpjegoi se, “Sot parlamenti u mblodh për të ngritur komisionin ad hoc. Në zbatim të reformës për drejtësi, Presidenti i Republikës nuk e ushtroi kompetencën që kishte dhe ja kaloi Avokatit të Popullit, i cili ka zbatuar rigorozisht kushtetutën për këtë çështje. Produkti i këtij procesi solli në parlament 21 kandidatë për 28 vende. Solli edhe një listë të dytë me emra që nuk plotësojnë kriteret për mungesë dokumentacioni. Kështu që komisioni që do ngrinte parlamenti sot do kishte vetëm 21 kandidatë për 28 vende. Ndaj ne nuk e pamë të arsyeshme të bëhej votimi sot”, tha Ruçi.

“Për të siguruar një proces sa më të drejtë dhe për t’i dhënë një mundësi të barabartë të gjithë atyre që dëshirojnë, t’i japim një kohë prej 7 ditësh Avokati i Popullit që t’i thërrasë këta aplikues, dhe të plotësojnë dokumentacionin. Qoftë lista me 70 emra që ka kualifikuar institucioni i Avokatit të Popullit por për mungesë dokumentacioni kanë mbetur në listën B, atëherë t’u japim një javë kohë ët plotësojnë dokumentacionin. Po kështu brenda kësaj jave të mund të aplikojnë të gjithë ata që dëshirojnë. Kjo ishte arsyeja e ndryshimit të rendit të ditës”, shtoi Ruçi.

Dy projektvendimet që do diskutoheshin sot ishin : Projektvendim “Për procedurat parlamentare për funksionimin e komisioneve ad hoc dhe realizimin e procesit të votimit sipas ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (neni 55, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë)

Projektvendimi “Për krijimin dhe përbërjen e komisionit ad hoc për verifikimin e kandidatëve për institucionet e rivlerësimit sipas ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (neni 55, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë).