OSBE/ODIHR-Nis trajnimin e policisë për procesin zgjedhor.

Nis trajnimi i policisë për procesin zgjedhorPolicia e Shtetit ka nisur një trajnim në kuadër  të procesit zgjedhor të 18 qershorit.

Gjatë aktivitetit të organizuar me rastin e nisjes së këtij trajnimi, i cili vjen edhe në respekt të detyrimeve që lindin nga Kodi Zgjedhor, Kreu i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt u shpreh se “zgjedhjet janë një gur themeli në demokracinë e një vendi”.

Sipas tij, përmirësimi i procesit zgjedhor është një kusht që duhet të realizohet. Duke folur në takimin me drejtues të Policisë dhe kreun e KQZ-së, drejtuesi i misionit të OSBE/ODIHR-it tha se zgjedhjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë.

Ai  vuri në dukje se ka pasur përmirësime në proceset zgjedhore të mëparshme në Shqipëri. “Kam besim se Policia do t’i ruajë standardet e zgjedhjeve”, tha ambasadori i OSBE-së në nisjen e trajnimit. I pranishëm në takim ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako si dhe kreu i KQZ-së, Denar Biba.

Kreu i Policisë, Haki Çako tha se policia është e depolitizuar dhe se do të jetë garante e respektimit të ligjit.