OBSH: Ndotja e mjedisit shkaktare e vdekjes së 1,7 milionë fëmijëve në vit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se 1.7 milionë fëmijë vdesin çdo vit për shkak të ndotjes së mjedisit. Shkaqet e vdekjeve të fëmijëve nën moshën pesë vjeçare përfshijnë ujin e pasigurt, mungesën e higjienës, praktikat e varfra të higjienës, ndotja e brendshme dhe ajo e jashtme, si dhe lëndimet. Këto shifra të reja sa i përket vdekjeve të shkaktuara nga ndotësit kanë qenë fatale për një në katër fëmijë nga mosha një muaj deri në pesë vjet. Në një raport të kësaj organizate poashtu theksohet se shkaqet më të shpeshta të vdekjes së fëmijëve janë të parandalueshme nëpërmjet ndërhyrjeve tashmë në dispozicion për komunitetet më të prekura.

Një mjedis i ndotur është vdekjeprurës, kryesisht për fëmijët në moshë të vogël, ka deklaruar drejtoresha e përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan.

Fëmijët e grupmoshave më të vogla janë kryesisht më të rrezikuar ndaj ndotjes së atmosferës dhe ujit pasi organet dhe sistemi i tyre imunitar janë në proces zhvillimi dhe rritjeje, veçanërisht të rrugëve të frymëmarrjes.

Ekspozimet e rrezikshme mund të kenë zanafillën gjatë shtatzanisë dhe paraqesin një rritje të rrezikut të lindjeve të parakohshme.

Përveç kësaj, gjatë kohës që foshnjat dhe fëmijët në moshën parashkollore janë të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit në ambientet e brendshme dhe të jashtme dhe konsumimit pasiv të duhanit, ekziston një rrezik më i madh për t’u prekur nga pneumonia gjatë fëmijërisë dhe infeksioneve kronike në rrugët e frymëmarrjes i tillë si astma.

Ekspozimi ndaj ndotjes së atmosferës mundet gjithashtu të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, atakut cerebral dhe kancerit përgjatë gjithë jetës.