Manastiri i Ardenicës.

Një nga objektet historike dhe të kultit më të vizitueshëm në vendin tonë është dhe Manastiri i Ardenicës dhe për fatin tonë ky manastir ndodhet në Lushnje. Ky objekt i rëndësishëm kulti, ngrihet në një vend dominues në kodrat me të njëjtin emër, në lartësinë e 200 m mbi nivelin e detit.

Në anën lindore të tij ndodhet qyteza e Kolonjës, në pjesën jugore ndodhet fshati Ardenicë, ndërsa në anën perëndimore gjendet Libofsha.  Mendohet që ai të jetë ndërtuar në shek XIII, në vendin ku dikur ngrihej kapela e Shën Triadhës, e ndërtuar aty shekuj më parë.

Në afërsi të ndërtesës, në anën perëndimore të saj, janë zbuluar gjurmë të rrugës së vjetër Egnatia.

Ky manastir sot është  jo vetëm një objekt kulti për besimtarët ortodoks të zonës, por është dhe një atraksion turistik për vizitorët kuriozë të historisë dhe të monumenteve të kulturës. I gjendur në aksin rrugor që të çon në Fier e Vlorë, shumë pranë këtij aksi, ai është dhe tepër i vizitueshëm.

Vizitorët që ngjiten në këtë manastir nga kodra e lartë kanë një peizazh të mrekullueshëm natyror, që përfshin fushat e Myzeqesë, lagunën e Karavastasë deri në detin Adriatik.

Një peizazh të fantastik dhe relaksues nga kjo lartësi të shfaq pylli me pisha shekullore i Divjakës. Nën këmbët e këtij manastiri nuk shtrihen vetëm peizazhet natyrore, por edhe    një qendër e banuar që në lashtësi, ku sot mund të shikosh mbetjet e mureve dhe të varrezave të lashta.

Të kalosh disa orë në të mëson shumë gjëra, që nga piktorët e famshëm voskopojar që pikturuan muret e tij, martesën e Skënderbeut, harta astrologjike në dyshemenë e kishës, banesat brenda kishës së lashtë ku jetojnë disa murgj që të kujtojnë periudhën e eremitëve të krishterë që faleshin në vetmi për rrugën e drejt të Krishtit që duhet të ndjek njeriu, histori të lashta e moderne, gazmore e të frikshme si vet enigma, pra gjithçka që mbart brenda vetes  një manastir.

Por më së shumti, manastiri i Ardenicës, sot është një destinacion shlodhjeje dhe relaksi për turistët.

Në periferi të tij gjen restorante luksoze që shërbejnë me profesionalizëm,  gjen kuzhinën tradicionale myzeqare dhe mikëpritjen e ngrohtë vendase.
Ardenica  është një vlerë historike e qytetit tonë për të cilën duhet kujdesemi dhe ta promovojmë.