Lushnja në kërkim të rekordeve.

Portieri veteran i Lushnjës, Mikel Spaho, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” ka deklaruar se ekipi Lushnjar do të kërkojë fitoren në ndeshjen e fundit të fazës së dytë ndaj Pogradecit. Verdhejeshilët synojnë të mbyllin me fitore këtë fazë dhe të mbeten në krye të Grupit B.

 

“Ne po përgatitemi për të fituar ndeshjen. Jemi të motivuar për t’i bërë një mbyllje me tri pikë fazës së dytë të kampionatit. Skuadra është nën ritmin e fitoreve dhe ne do të insistojmë për suksesin e radhës”, u shpreh portieri veteran i verdhejeshilëve.

Njeriu që ka 16 vjet midis tri shtyllave, megjithatë thotë se Lushnja duhet të tregojë kujdes ndaj Pogradecit. “Është e vetmja skuadër që nuk e kemi mundur dhe e vetmja që na ka shënuar tre gola. Kemi marrë një barazim spektakolar në Pogradec dhe mendoj se kemi të bëjmë me një kundërshtar cilësor. Këtë e tregon vendi i tretë në tabelë. Jemi të qetë edhe para fazës së tretë. Do të vazhdojmë udhëtimin drejt Superiores. Mendojmë çdo javë për vendin e parë dhe realizimi i objektivit është një rrugë pa kthim për ne”, thotë Spaho.

Nëse Lushnja do të arrijë rezultatin pozitiv edhe këtë javë, atëherë për herë të parë në historinë e saj do të regjistrojë një rekord: asnjë humbje në dy faza të kampionatit. Skuadra e teknikut Artan Bano ka 10 muaj kalendarik (17 ndeshje) që nuk humbet në kampionat duke regjistruar rezultate të jashtëzakonshme.

Për herë të fundit, skuadra ka humbur në 14 majin e vitit të kaluar (Butrinti-Lushnja 3-0). Verdhejeshilët thyen rekordin e katër sezoneve më parë kur kishin gjashtë muaj pa humbur. Nga 29 shtator 2012 (Tërbuni-Lushnja 2-0) deri më 6 prill 2013 (Lushnja-Pogradeci 0-1) dhe vijojnë pa limite rezultatet e tyre pozitive.

Ndërkaq, sekretari i klubit, Olsi Stambolliu, në një komunikim me mediat sportive, tha se ndeshja Lushnja-Pogradeci nuk do të luhet ditën e hënë, siç është njoftuar në fillim, por ditën e shtunë. Ndërsa orari nuk ka ndryshuar dhe takimi do të luhet në orën 14:00./Panorama.