Lista e barnave të rimbursueshme, shtohen 30 barna të reja

Lista e re e barnave të rimbursueshme është pasuruar me 30 barna të reja.

Këtë vit zgjerimi i listës së barnave është përqëndruar tek sëmundjet me përhapje të gjerë në popullatë si sëmundjet e zemrës dhe veshkave.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar të sëmurëve me tumor, për të cilët janë shtuar në listën e rimbursimit barna që shkurtojnë kohën e hospitalizimit të tyre.

Më konkretisht, lista e re 2017 do të përfshijë barna:

Anti-diabetikë, barna kundër obezitetit në pacientët që vuajnë nga diabeti dhe sëmundje kardiologjike, për shërbimin e pediatrisë për Mukopolisakaridozë tipi VI, për kardiologjinë, të cilat e çojnë trajtimin e pacientit nga monoterapia në kombinime të terapive të ndryshme, për shërbimin e Nefrologjisë, për shërbimin e Psikiatrisë, për sklerozën e shumëfishtë recidive remitente, për shërbimin e reumatologjisë/dermatologjisë për sëmundjen e psoriazis, për onkologjinë, me rëndësi për pacientët që vuajnë nga sëmundje tumorale, të cilat shkurtojnë kohën e hospitalizimit.

Vendimi për zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme u mor në mbledhjen e Këshillit Administrativ të Fondit dhe pritet të miratohet në Këshillin e Ministrave, ndërkohë që lista pritet të hyjë në fuqi më 1 maj 2017 dhe do të mbulohet nga FSDKSH.

Me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit janë zgjeruar dhe përmirësuar të gjitha paketat shëndetësore që mbulohen nga sigurimet shëndetësore si në spitalet publike ashtu edhe ato private.

Rishikimi i protokolleve të mjekimit të paketave shëndetësore është në funksion të lehtësimit të pacientëve dhe zgjerimit të shërbimeve që mbulohen brenda paketave që financohen 100% nga fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Përfitues janë pacientët që vuajnë nga dializa, të cilët do të përfitojnë dy paketa të reja, atë të fistulës dhe graftit, të cilat do të financohen plotësisht nga Fondi si në shërbimin publik ashtu edhe në atë privat. Gjithashtu janë shtuar disa ekzaminime të reja në paketën e dializës, në mënyrë që shërbimi i ofruar në paketë të jetë i plotë dhe tërësisht në sinkron me protokollet europiane të këtij shërbimi.

Ndryshime të rëndësishme kanë pësuar edhe paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë. Përpos interventit, nga dy ditë qëndrim në terapi intensive të parashikuar në paketat e mëparshme, tashmë janë tetë ditë qëndrim në terapi intensive për interventet e kardiokirurgjisë, që do të mbulohet financiarisht nga Fondi si në shërbimin publik ashtu edhe atë privat. Gjithashtu, për të gjashtë paketat që përfshihen brenda këtyre dy shërbimeve, janë shtuar ekzaminime të tjera, duke ofruar kështu një shërbim të plotë dhe cilësor për pacientët. E fundit por jo për nga rëndësia, është paketa e implantit koklear për fëmijët me probleme dëgjimi. Paketa që financohet nga Fondi do të përfshjë rishtazi përpos interventit edhe pajisjen e implantit koklear”, nënvizohet në njoftimin të shpërndarë për mediat.