Gylen akuzohet se po shkakton tërmete në Turqi

Kleriku turk me bazë në SHBA, Fetullah Gylen gjendet në krye të listës së zezë të presidentit Rexhep Taip Erdogan.

Ai konsiderohet si orkestrues i grushtit të dështuar të shtetit në muajin korrik e ka qenë në qendër të një serie teorish konspirative. E megjithatë, akuza e re që këtë herë vjen nga Ankaraja tingëllon krejt e pazakontë.

Kryebashkiaku i kryeqytetit turk, Melih Gokcek pretendon se kleriku po përpiqet të rrënojë ekonominë turke duke përdorur një pajisje sizmike që shkakton tërmete. Qëllimi është po i njëjti; rrëzimi i presidentit Erdogan nga pushteti. Këto komente kryebashkiaku i bëri pasi dy tërmete me intensitet 5.3 e 5.4 ballë të shkallës rihter goditën rajonin lindor të Canakkale të hënën dhe të martën.

Gokcek thotë se një “anije sizmike” është parë pranë porteve të qytetit para lëkundjeve të tokës, e se anije e nëndetëse duhen dërguar atje për të kryer verifikime.

“Nuk ka rëndësi se çfarë thonë. Unë jam ende i shqetësuar mbi mundësinë e një tërmeti artificial”, shkruaji në “Twitter” kreu i bashkisë se Ankarasë, duke publikuar edhe një video ku duken ato që për të janë mjete për të shkaktuar tërmete nga dora e njeriut.

Pas grushtit të dështuar te shtetit, kjo sipas tij, është përpjekja e radhës për të çuar në krizë ekonominë e për të përmbysur më pas presidentin. Edhe vetë Erdogan, dobësimin e ekonomisë në vend, ja ka faturuar një komploti të huaj.

Teoria e kreybashkiakut të Ankarasë mbështetet edhe nga opinionisti pro-qeverise Omer Turan, i cili thotë se Gylen, SHBA-ja dhe Britania mund të jenë pas tërmeteve të fundit, si pjesë e një komploti shumëdimensional.

/ Top Channel