FSHF: Duhen ndërhyrje urgjente në stadiumin “Roza Haxhiu”

Stadiumi Roza HaxhiuNdërkohë që skuadra e Lushnjës po zhvillon një kampionat shumë të mirë duke e kryesuar atë që nga java e dytë e deri më tani, gjendja e infrastrukturës vijon të mbetet e mjerë. Duke qenë se lushnjarët janë një prej ekipeve pretendente për t’u ngjitur në Superiore sezonin e ardhshëm, FSHF ka nisur të mendojë që tani për sa u përket kushteve të stadiumit.

Për këtë zyrtarë të Federatës kanë bërë një inspektim në “Roza Haxhiu” pak ditë më parë dhe ka rezultuar se 70% e impiantit është jashtë standardeve minimale. Pjesët e shkallëve pas portave të fushës janë jashtë përdorimit. Po kështu, edhe shumica e portave hyrëse në stadium janë jashtë funksionit.
Problem mbetet edhe gjendja e tribunës, ku pjesa e tarracës është shumë e amortizuar. Dhe zyrtarët e FSHF-së u kanë bërë të ditur drejtuesve të klubit se duhet ndërhyrje e menjëhershme në stadium nëse ekipi do arrijë të ngjitet në Superiore sezonin e ardhshëm./panorama/