De Biasi publikon listën anti-Itali

 De Biasi publikon listën anti-ItaliTrajneri i Kombëtares shqiptare, Ganni De Biasi ka publikuar listën e lojtarëve për ndeshjen e 24 marsit kundër Italisë dhe miqësoren kundër Bosnjes.

Në listë, ajo që bie në sy është sërish mungesa e Berat Gjimshitit, ndërsa në mbrojtje është grumbulluar sërish Vrederik Veseli. Në të janë thërritur plot 4 lojtarë nga Kategoria Superiore si Albi Alla, Liridon Latifi, Orges Shehi dhe Alban Hoxha.  Ndërkohë, lajmi i mirë është për Sokol Çikalleshin i cili rikthehet në Kombëtare pas periudhës negative te Bashaksehir.

“Kam dëgjuar që përfaqësuesja jonë nuk po kalon një moment të mirë, por sfida me Italinë do të jetë e rëndësishme për të treguar vlerat tona. Kemi shumë lojtarë që nuk kanë luajtur në vazhdimësi. Futbollistët që janë grumbulluar nuk kanë asnjë problem ndryshe nuk do t’i kisha grumbulluar. Hysaj për shembull është një futbollist që ka luajtur shumë. Euforia pas Europianit? Pas Europianit sigurisht që kishte eufori, por mendoj se pas sfidave ndaj Spanjës dh Izraelit kjo gjë tashmë është lënë pas.
Momenti më i vështirë? Jo, nuk mund ta them këtë. Në jetë ka momente të mira dhe të këqija. Nuk mungon përkushtimi, por kemi pasur momente kritike gjatë eliminatoreve.

Problemet në portë dhe mbrojtje? Duhet të flas me grupin që kemi grumbulluar dhe më pas do të vëmë në zbatim planin që kemi për të zbatur. Të luash ndaj Italisë është shumë e vështirë duke parë momentin shumë të mirë që po kalojmë.

Objektivi? Është vendi i dytë, siç kemi bërë gjithmonë. Do të tentojmë deri në fund që të marrim këtë vend, pasi vendi i parë nuk do të jetë i mundur”, tha De Biasi.

Lidhur me rinovimin, Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biasi u shpreh se, “kam qenë gjithmonë i gatshëm edhe në respekt të audiencës jam përgjigjur në lidhje me këtë çështje, por askush nuk më ka pyetur. Mund të më telefonin dhe t’ju them, por jo të besoni gjithçka shkruhet. Nuk duhet të më pyesni mua në lidhje me kontratën, por punëdhënësin tim, që është Federata Shqiptare e Futbollit”