DASH: Shqipëria burim i marijuanës, parave të pista dhe korrupsionit.

DASH: Shqipëria burim i marijuanës, parave të pista dhe korrupsionitRaporti i fundit i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit mbi luftën ndaj trafikut të drogës për vitin 2016 e vendos Shqipërinë në vendet kryesore të burimit të marijuanës. Aty thuhet se vendi ynë në 2016-ën pati një shtim të plantacioneve me kanabis.

Shqipëria mbetet një vend burim i rëndësishëm për marijuanën si dhe një rrugë transiti për kokainën dhe heroinën e destinuar për tregun evropian. Megjithëse autoritetet shqiptare raportuan rritje të arrestimeve dhe shkatërrimit të plantacioneve me kanabis në 2016-ën u raportua gjithashtu një rritje e kultivimit të kanabisit në të gjithë vendin”, – thuhet në raport.

Raporti thotë se përveç marijuanës nuk ka të dhëna për prodhim të drogërave të tjera apo drogërave sintetike. Edhe për sa i përket konsumimit DASH thotë se qeveria nuk ka të dhëna të qarta, por përveç kanabisit nuk është shqetësim i madh përdorimi drogërave të tjera.

Dash sjell edhe disa të dhëna të policisë shqiptare sipas të cilave në 2016-ën është sekuestruar 30.14 ton kanabis dhe janë shkatërruar 2,4536,288 rrënjë. Guardia di Finanza me fluturimet e saj identifikoi 2,086 plantacione me kanabis.

Në raport thuhet gjithashtu se policia shqiptare sekuestroi gjithashtu 57.33 kg heroinë dhe 7.16 kg kokainë. Në kufi janë arrestuar 1,349 persona ndërsa prokurorët hetuan 273 persona për trafik droge.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar edhe raportin për krimin dhe pastrimin e parave. Aty thuhet se në vendin tonë pastrohen lehtësisht paratë e drogës dhe sundon korrupsioni i shfrenuar. Në raport shkruhet se “Shqipëria është një vend tranziti për trafikimin e narkotikëve, armëve, mallrave kontrabandë dhe qenieve njerëzore dhe mbetet në rrezik për pastrimin e parave. Burimet më të mëdha të të ardhurave të paligjshme janë trafiqet, korrupsioni i zyrtarëve dhe mashtrimi”.

“Krimi shpesh investon paratë e pista në prona të patundshme dhe në projekte për zhvillimin e biznesit”, – thuhet më tej në raport.

Sipas raportit të DASH në Shqipëri ka një treg të madh të zi për mallra të tilla, si duhani, bizhuteritë dhe telefonat celularë, si pasojë e nivelit të lartë të importimit të mallrave të konsumit dhe kontrolleve të dobëta doganore.

“Grupe të organizuara kriminale e përdorin Shqipërinë si një bazë operacionale për ndërmarrjen e veprimtarive kriminale në vende të tjera e shpesh ato i sjellin fitimet e tyre të paligjshme në Shqipëri. Paratë e fituara nga këto veprimtari shpëlahen lehtësisht në Shqipëri pasi aty kryesisht sundon ende një ekonomi e bazuar në para’ në dorë dhe hyrja e parave nga jashtë në formën e prurjeve valutore të emigrantëve janë të zakonshme” – shkruan DASH.

DASH flet me nota kritike edhe për korrupsionin në qeveri e institucione të tjera.