Boksieri Nuri Seferi fiton me nokaut

Boksieri Nuri Seferi fiton me nokaut

Një tjetër sukses i boksierit shqiptar Nuri Seferi, që arrin një fitore të rëndësishme në karrierën e tij si profesionist. Përballë tij në përballjen e zhvilluar në Bernë të Zvicrës ishte hungarezi Lazlo Hubert, i cili nuk rezistoi më shumë se raundi i katërt përballë “Tysonit shqiptar”. Boksieri i lindur në Gostivar e nisi duelin menjëherë në kërkim të suksesit dhe pas dy raundeve të para ku dominoi, në të tretin arriti ta rrëzonte kundërshtarin, që u dorëzua, duke i ndezur dritën jeshile boksierit shqiptar të kërkojë një sfidë me një nga 4 rivalët më të fortë të kontinentit.

Ky ishte suksesi i 38 në karrierën si profesionist për Seferin, që numëron e 8 humbje. Fitore arriti edhe vëllai më i vogël i Sefer Seferi, që rrëzoi në raundin e pestë brazilianin Marselo Fereira. Dy fitore shumë të rëndësishme për djemtë e familjes nga Gostivari, që kanë emigruar prej shumë vitesh në Zvicër dhe jetojnë në Burgdorf. Në pallatin e sportit ishin të pranishëm rreth 3 mijë shqiptarë, të cilët ngjyrosën kuqezi shkallët, duke i dhënë një ndihmë të madhe 40-vjeit shqiptar që do të kërkojë një prej gjerdanëve të peshës së mesme në boksin europian.