AKU kontrolle në 12 qarqet e vendit, 16 ton ushqim bllokohen në qarkun Fier.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së, Dritan Sejko vijoi kontrollet në të gjithë vendin, për garantimin e sigurisë ushqimore.

Brenda dy javëve, AKU ka kryer 1200 inspektime në 12 qarqet  e vendit. Nga këto inspektime ka rezultuar se 161 subjekte nuk plotësonin kushtet dhe ndaj tyre është marrë masa ‘Gjobë’ dhe ‘Paralajmërim’.

Inspektimet janë kryer në subjekte ku tregtohen produkte mishi dhe nënproduktet e tij, në baxho dhe në subjekte ku tregtohet qumështi dhe nënproduktet e tij, në markete, supermarkete, restorante etj.

Gjithashtu në fokus të inspektimeve ishin edhe produktet ushqimore, të cilat tregtohen pasi u kalon afati i skadencës. Në të gjitha rastet e konstatuara inspektorët e AKU-së kanë bërë bllokimin e mallit dhe asgjësimin e tij.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën apel qytetarëve që të kontrollojnë në çdo rast datën e skadencës. AKU do të vijojë të marrë masa ndaj atyre subjekteve që shesin ushqime, pasi u ka kaluar afati i skadencës, citohet në njoftimin për shtyp të AKU-së.

Ndërkohë AKU bën të ditur se, në Qarkun e Fierit janë bllokuar 16 ton ushqim për kafshët. Ky ushqim për blegtorinë ishte jashtë afateve të përdorimit dhe AKU bëri bllokimin dhe asgjësimin e kësaj sasie. Gjithashtu ndaj subjektit u mora masa ‘Gjobë’.

Autoriteti Kmbëtar i Ushqimit u kërkon qytetarëve që të denoncojnë në çdo rast abuzimet me ushqimet, në mënyrë që të merren masa të menjëhershme ndaj çdo subjekti. Denoncimet mund të bëhen në portalin ‘AKU Inspektori Dixhital’.