Afatet dhe kriteret për studimet e larta në Itali

Studimet jashtë vendit mbeten të preferuara nga shumë maturantë, kryesisht në Italinë fqinje. Në varësi të mesatares apo edhe prirjeve të vetë të interesuarve ka interes të lartë në disa profile studimi. Në kuadër të edicionit të pestë për studime në Itali, u organizuar dje një takim me maturantët nga i gjithë vendi.

Përveç maturantëve, interes për studime në universitetet italiane kanë shfaqur edhe student që ndjekin aktualisht studimet në një degë të caktuar.

Çdo vit, mijëra nxënës nga Ballkani aplikojnë për studime në Itali. Studentët shqiptarë përbëjnë shumicën dërrmuese të të huajve në universitetet italiane (12.6%), pas rumunëve. dy Arsyet kryesore që shpjegojnë këtë fakt janë intensiteti i marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve, si dhe njohja e mirë e kësaj gjuhe nga nxënësit tanë.

Kriteret dhe aplikimi
Faza e pararegjistrimit, ka të bëjë me dorëzimin e disa dokumenteve, të cilët kandidatët duhet t’i kenë me vete në takimin që duhet ta paracaktojnë në ambasadë deri në datën 21 korrik.

Aplikuesit, të cilët ende nuk kanë marrë diplomën e Maturës, u mjafton një vërtetim notash të të gjithë viteve të shkollës së mesme dhe një kopje të Formularit A1 (ose A1Z për maturantët e vjetër) me të cilin provojnë se do të shlyejnë detyrimet e Maturës.

Çdo dokument i marrë në shkollë duhet të vuloset pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe Ministrisë së Arsimit, të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane.

Kusht primar ngelet njohja e gjuhës italiane nga 5 institucione: Universiteti për të huajt i Perugia­s, Universiteti për të huajt i Siena­s, Universiteti Roma 3, shoqata “Dante Aligeri” ose instituti Italian i Kulturës.

Faza e dytë dhe më e rëndësishme është aplikimi për vizë studimi. Nga data 3 korrik, ata që nuk kanë për të dhënë provim pranimi aplikojnë sërish me disa dokumente: Diplomë Mature; kërkesë aplikimi (merret në sportel); dy foto pasaporte; deklaratë për të dhënat personale; njohja e gjuhës; certifikatë lindjeje e pasaportë bashkë me kopje të saj; dokument për strehimin në një vend afër universitetit; sigurimin shëndetësor dhe një llogari bankare prej afro 6 mijë eurosh (përfshi dhe biletën e kthimit). Në rast se kërkesa pranohet nga ambasada, aplikuesi merr me postë vizën me pasaportë.