Rama fton në zyrë studentët protestues.

Rama fton në zyrë studentët protestues.

Pavarësisht shfuqizimit të VKM për tarifën e provimeve të mbartura, studentët nuk tërhiqen nga protestat e tyre deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.

Studentët kanë bojkotuar edhe sot mësimin, ndërsa nga të gjitha fakultetet e Tiranës janë mbledhur tek Ministria e Arsimit. Studentëve të Tiranës, iu bashkuan edhe bashkëmoshatarët e tyre nga Universiteti i Elbasanit, ndërsa pritet të vijnë edhe ata nga Durrësi dhe Vlora.

Pavarësisht se kryeministri Edi Rama tha se është i gatshëm të presë në zyrë për bisedime studentët, këta të fundit refuzojnë cdo lloj propozimi dhe negocitash pa plotësuar 4 kushtet e tyre.

foto galeri
“Refuzojmë çdo lloj propozimi dhe negociatash pa pranuar 4 kërkesat tona. Nuk ka më kompromise. Kryeministri të vijë këtu se jemi të gjithë bashkë. Nuk ka negociata pa plotësuar 4 kërkesat tona”- janë shprehur studentët.

Studentët u kanë bërë thirrje edhe prindërve, pedagogëve dhe gjimnazistëve që të bashkohen në protestë.

“Studentë kjo është koha jonë. T’u tregojmë pushtetarëve. Studentët e bashkuar kanë për ta fituar. Kërkojmë të drejtat tona. Përmirësim të kushteve të konvikteve. Ulni tarifat. Do dalim në rrugë me qindra me mijëra, po nuk ra tarifa do bie ministria. Daullet e orëve të fundit”, kanë thirrur në kor studentët, ndërsa më pas disa prej tyre gjuajtën me vezë dhe shishe me ujë në drejtim të godinës së ministrise.

Para se të mbërrinin tek Ministria e Arsimit, studentët nisën marshimin nga kryqëzimi i ’21 Dhjetorit’, dhe u ndalën tek ‘Zogu i Zi’, ku u ulën në gjunjë. Me ta u solidarizuan edhe qytetarë të thjeshtë, ndërsa më pas vijuan ecjen përgjatë Rrugës së Durrësit. “Eja mblidhuni këtu, këtu”, “Ulni tarifat”, “Shqipëria është e jona”, “Jo politikë” këto janë disa nga thirrjet që të rinjtë lëshojnë në kor.

Pjesë e protestës u bë edhe Artisti Robert Aliaj, i cili dha mesazhin e fortë për rininë shqiptare, që ajo mos të ndalet, ndërsa ai shoqërohej nga vajza e tij. “Jam shumë e lumtur që të jem këtu mes jush”, tha vajza e tij në anglisht.“Universiteti = minus një veshkë” është pankarta e studentëve ë Universitetit të Mjekësisë, ndërsa Universiteti Bujqësor ka zgjedhur pankartën “U munduan të na varrosin, por nuk e dinin se ne ishim fara”.

Katër kërkesat e studenteve drejtuar Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë:

1. Anulimi i VKM per tarifa shtese.
2. Përgjysmimi i tarifës së studimit.
3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve.
4. Bordi i Administrimit të ketë̈ numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë se Arsimit, duke shtuar një̈ përfaqësues nga studentet ne bord.