Siguria e bankave, Tahiri u vë afat policive private për plotësimin e kritereve

Kompanitë private të sigurimit fizik kanë vetëm 1 muaj kohë për të arritur standardet dhe kjo, sipas ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, duhet të nisë nga paga e punonjësve, për të cilat premtoi se nuk do të ketë më asnjë punonjës të sigurisë private me rrogë nën 33 mijë lekë.

“Kontratat tuaja në vit janë mbi 20 milionë euro dhe kjo është një pagesë që kapërcen disa herë buxhetin e Policisë së Shtetit. Por, është e pafalshme që të shndërrohet ky potencial financiar në disa xhepa dhe jo aty ku duhet, te policët privatë për bizneset e familjet. Ka shumë kompani private të sigurisë që nuk kanë përmbushur detyrimet. Një polic privat nuk mund të paguhet me 18 mijë lekë të vjetra, por aq sa parashikon ligji”, tha Tahiri.

Megjithatë, Tahiri nuk i shmangu kritikat për këto kompani, të cilat në shumë raste nuk e kanë bërë detyrën, duke iu referuar këtu ngjarjeve të bujshme të vjedhjeve të bankave.

“Policia private nuk ka ende rolin që duhet të ketë. Janë 2000 objekte që janë nën ruajtjen tuaj. Gjatë kësaj kohe kam vënë re probleme që nuk janë të vogla. Burimet njerëzore janë kryesisht mosha të thyera dhe të papaguar. Sot, një polic privat paguhet 40 përqind të pagës së deklaruar. Sot, Policia e Shtetit ka në terren 8700 policë. Ju keni më shumë policë seç ka Policia e Shtetit, por kontributi është zero. Të 9000 policët privatë duhet të jenë një forcë e shtuar për sigurinë. Është e palejueshme që ka kompani që nuk kanë përmbushur detyrimet që kanë. Ka ngjarje kriminale ku Policia e Shtetit është njoftuar 11 minuta me vonesë”, u shpreh ministri.

Vetë përfaqësuesit e kompanive private u ankuan për mënyrën e tenderimit të tyre si dhe për bashkëpunimin me institucionet, kryesisht bankat.

“Bankat në shqipëri, a kontrollohen nga njeri? Na thonë 200 mijë lekë paguajmë ne, e pranojmë, e sheh rojen para bankës që nuk e merr as në ara për të ruajtur misrin. Puna e policisë private është katandisur për të vënë duart në kokë”, thonë përfaqësuesit e kompanive private.

Në Shqipëri, ka mbi 250 shoqëri të sigurisë fizike, ku janë të punësuar mbi 9 mijë punonjës.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *