Lushnje: Tahiri takim me punonjësit e sigurisë private.


Siguria publike është përpjekje e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe policive  private.
Saimir Tahiri në Lushnje

 

 

 

 

 

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, ka qene i pranishëm një bashkëbisedimi me Shoqatat Private të Sigurisë Publike (SHPSF) të zhvilluar në ambjentet e Kinoteatrit “Vaçe Zela” në Lushnje.

Gjithashtu të pranishë kane qene N/Prefekti i Lushnjës Ilir Dervishi, Kr. i Bashkisë Lushnje Fatos Tushe, Deputetët e qarkut Erion Braçe, Bujar Çela dhe Arben Çuko  si dhe Drejtori i përgjithshëm i Policisë së shtetit Haki Çako.

 

Ministri gjatë fjalës së tij u ka bërë thirrje efektivëve privatë të bashkëpunojnë me policinë e shtetit për të rritur sigurinë e qytetarëve shqiptar.

“Policitë Private në Republikën e Shqipërisë janë bërë objekt diskutimesh sa herë ka pasur ngjarje kriminale, të cilat kanë përfshirë në dinamikat e tyre edhe policitë private, siç ishte vjedhje e fundit e një banke. Policia Private, diku me të drejtë diku pa të drejtë, është vënë në shënjestrën e vëmendjes së opinionit publik për disa arsye sipas meje. E para, sepse shërbimi i një Policie Private bën një punë që jo në të gjitha rastet është e dukshme”, tha Tahiri.

Ndër arsyet kryesore ministri renditi braktisjen qeveritare në të kaluarën, për të cilën ai kërkoi ndjesë edhe pse pa përgjegjësi direkte. “Të 9 mijë policët privatë në Shqipëri (që janë më shumë se policët e Shtetit) janë trajtuar si një armatë jetimësh apo të braktisur nga çdo qeveri e së kaluarës ndërsa janë lënë në fatin e tyre në kontratat e bëra me punëdhënësin. Shpesh edhe punëdhënësit, pra pronarët e Policive Private, kanë qenë të fokusuar tek fitimi duke shfrytëzuar kapitalin e madh njerëzor – që jeni ju praktikisht. Dhe nëse një pronar i një kompanie private të Policisë private është i interesuar të fitojë më shumë para, këtë kurrë nuk mund ta bëjë dhe kurrë nuk do ta lejojmë ta bëjë në kurrizin tuaj, pra të njerëzve që punojnë në policitë private”. tha ai.

Tahiri vuri gishtin tek mungesa e bashkëpunimit historike mes policive private me Policinë e Shtetit, ndryshe nga praktika e çdo vendi në botë në çështje të sigurisë publike. “Ju të gjithë këtu jeni të vetëdijshëm që shumë pak keni pasur mundësi deri më sot të kontribuoni bashkë me Policinë e Shtetit në sigurinë publike. Dhe kjo ka një arsye madhore që fillon me mënyrën si trajtoheni ju”, tha ministri, duke theksuar se, janë pagat e ulëta dhe nën ato të përcaktuara me ligj, shkak i mungesës së kontributit të vërtetë të punonjësve të policive private në sigurinë publike.

“Policitë Private nuk mund të jenë foletë ku strehohen njerëz që shfrytëzohen si skllevër. Policitë Private duhet të jenë pa asnjë diskutim qendra reale të punës, me njerëz që e meritojnë ta bëjnë atë punë, që paguhen siç duhet, që respektohen dhe kanë dinjitet me punën që bëjnë, me njerëz që e kanë të ndarë punën nga pushimi, që gëzojnë të drejtën të kenë pushim, me njerëz që mund të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit për ta bërë Shqipërinë më të sigurt”, tha mes të tjerash ministri.

Sipas Tahirit zgjidhja e problemit është investimi në formim dhe trajnime të policisë private njësoj si Policia e Shtetit.

“Pavarësisht gjithçkaje, përkundër sulmit, vrerit dhe baltës së përditshme mbi Policinë e Shtetit, kemi dhënë prova të vazhdueshme se Policia e Shtetit është në detyrë dhe bën detyrën. Por na duhet të ndreqim në themel gjërat që nuk kanë funksionuar prej dekadash në Shqipëri, në mënyrë që ngjarje si ato që kanë ndodhur të mos ndodhin më”, përfundoi Tahiri.