Grabitja në Rinas, shpallen në kërkim dy vëllezër nga Tropoja.

Grabitja në RinasShkon në tetë numri i personave akuzuar si të përfshirë në grabitjen spektakolare të parave të bankës në aksin Tiranë-Rinas. Burimet policore shprehen se janë shpallur në kërkim edhe dy vëllezër nga Tropoja dhe se po punohet intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e tyre. Paralel aksioni vazhdon edhe në Dibër për arrestimin e Admir Murataj,  që dyshohet të ketë pasur rol kryesor në bandën kriminale. Enigmatik ngelet emri i të kërkuarit tjetër, Jetmir Çerpja, 35 vjeç dhe banues në Kamzë, për të cilin priten të dhëna nga shteti grek pasi ka dyshime se ka qenë i aktivizuar në ngjarje kriminale në këtë shtet.

Sipas grupit të hetimit, Çerpja ka rënë në kontakt me Muratajn dhe një tjetër personazh të botës së krimit, Ilir Kupa në shtetin grek. Pikërisht këto të dhëna, por edhe prania e Ernest Kupës në grupin e të arrestuarve ka sjellë dyshime të tjera për hetuesit.